Ander Herrera beson se futbollistët e Manchester Unitedit janë fajtorë për 75 për qind e dështimeve të skuadrës këtë sezon. Ai e ka mbrojtur Jose Mourinhon duke këmbëngulur se portugezi kishte bërë gjithçka në mundësinë e tij.

Mesfushori spanjoll do të largohet nga Unitedi pasi kontrata me klubin i skadon në verë dhe pritet t’i bashkohet Paris Saint-Germainit në afatin kalimtar veror, transmeton Gazeta Express.

Herrera ka këmbëngulur se zëvendësuesi i Mourinhos, Ole Gunnar Solskjaer, është njeriu u duhur për t’i sjellë sukses klubit, duke pohuar se lojtarët e mbështesin plotësisht norvegjezin.

Megjithatë, 29-vjeçari thotë se lojtarët e Unitedit duhet ta marrin mbi supe fajin për mungesën e trofeve këtë sezon dhe dështimin për ta mbyllur sezonin në top katërshe në Premierligë.

“Ne duhet të marrim përgjegjësinë. Të gjithë ne. Nuk është e drejtë t’i fajësojmë të tjerët. Kur kalon nëpër një sezon të keq, 75 për qind e fajit është i lojtarëve”, tha Herrera.

“Është shumë e lehtë kur shkarkohet trajneri ta fajësosh dike tjetër, ama faji është i të gjithëve. Nëse flasim për sezonin e fundit, unë kam shumë respekt për Jose. Ai tentoi gjithçka. Sezoni i parë me të ishte goxha i suksesshëm”, shtoi ai.

Loading...