Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka përsëritur se Serbia dhe ata që kryen krime të luftës në Kosovë duhet të përgjigjen për gjenocidin e kryer.

Gjatë një vizite në lokacionin ku do të ndërtohet Muzeu i Gjenocidit, Veseli ka thënë se muzeu do të ketë rol edukativ për brezat e ardhshëm.

Ai në hapësirat e ish-Tjegullores në Prishtinë paralajmëroi se gurthemeli do të vendoset më 2020.

Duke radhitur arsyet e tjera për ngritjen e këtij muzeu, Veseli tha se ai gjithashtu do të shërbejë si qendër dokumentimi dhe hulumtimi për krimet e kryera, si dhe qendër përkujtimi për viktimat e këtyre krimeve, në mënyrë që krime të tilla mos përsëriten më kurrë.

“Kjo është një iniciativë që populli i Kosovë e merr për hir të së drejtës dhe të vërtetës. Nuk ka pajtim pa pasur dënim të gjenocidit. Ditën e enjte do të kemi seancë, kur edhe do të themelohet komisioni shtetëror që fillon punën e dokumentimit të së vërtetës dhe më pas inicimin e Tribunalit”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai po ashtu tha se të enjten do të fillohet edhe me Muzeun e Gjenocidit dhe do të propozohet pikërisht ky vend për ndërtimin e tij. Veseli ka deklaruar se ka aq shumë fakte për krime sa nuk ka mbulesë dhe forcë që mund ta ndalojë këtë Tribunal.

“Serbia duhet të paguajë dhe kriminelët duhet të paguajnë për gjenocidin”, theksoi Veseli.

Loading...