Numri i azilkërkuesve nga Maqedonia e Veriut në vendet anëtare të BE-së në mënyrë drastike ka rënë në mars të këtij viti në krahasim me muajt paraprak, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Nga Maqedonia 316 persona kanë aplikuar për azil muajin e kaluar ndërsa në janar dhe në shkurt ky numër ishte 600, informon Zyra Evropiane për azil, EASO.

Nga 316-të kërkesat, 229 janë kërkesa të para, të tjerat janë aplikacione të përsëritura për azil.

Sa u takon vendimeve për ndarjen e statusit refugjat, gjendja është pothuajse e pandryshuar për Maqedoninë: numri më i madh i kërkesave edhe më tej refuzohen, pasi vendi konsiderohet i sigurt.

Në mars, zyrat për azil në BE i kanë refuzuar 454 kërkesa për azil prej shtetasve të Maqedonisë ndërsa gjashtë personave u është miratuar statusi i refugjatit.

Një e dhjeta e kërkesave për azil janë kërkesa të përsëritura, gjegjësisht persona të cilët të paktën njëherë janë refuzuar dhe zakonisht ata janë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.

“Siç ishte rast muajve të kaluar, shtetasit e Ballkanit Perëndimor kanë tendencë të shtrojnë aplikacione të sërishme me numra ekstrem të lartë”, thekson EACO.

Në përgjithësi, trendet për muajin mars tregojnë rritje të vogël të kërkesave për azil në mbarë BE-në në krahasim me shkurtin dhe rritje të konsiderueshme në raport me muajin mars vitin e kaluar.

“Një proporcion i madh i aplikacioneve të regjistruara në mars vijnë prej personave të cilëve nuk u nevojiten viza për hyrje në Zonën e Shengenit”, kumtoi Zyra për azil, si Venezuela, Kolumbia, Shqipëria dhe Gjeorgjia.

Kryesisht, azilkërkuesit në BE janë nga Siria, Venezuela dhe Afganistani ndërsa rritje më të madhe shënon pikërisht Afganistani, ndërsa shtetasit e Venezuelës për të dytin muaj me radhë shënojnë numër rekord të aplikacioneve për statusin e refugjatëve në Evropë. Kërkesat nga Siria mbeten stabile.

Shtatë vendet e tjera në krye të listës me kërkesa më të mëdha janë Iraku, Kolumbia, Nigeria, Pakistani, Irani, Shqipëria dhe Gjeorgjia.

Veçanërisht potencohet rritja e refugjatëve nga Kolumbia, numër i rritur për 32 për qind në krahasim me shkurtin.

Loading...