Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka fajësuar elitën politike kosovare se nuk ka ndërmarrë asgjë në drejtim të kapjes së kriminelëve serbë për krime lufte gjatë kohës në Kosovë, duke thënë se viktimat kanë nevojë për drejtësi e jo për maskaradë.

Ai në një postim në Facebook përkujton se sot ekziston një tribunal ndërkombëtar vetëm për shqiptarët, ndërkohë që shumica e kriminelëve serbë janë të lirë dhe enden në Serbi dhe Kosovë edhe 20 vjet pas përfundimit të luftës.

“E për këtë, faj përveç propagandës së turpshme shtetërore të Serbisë ka edhe elita politike kosovare. Ata që nuk shihnin asgjë përpos pushtetit e parave. Ata që votuan krejt marrëveshjet e kurrë nuk e bën asnjë veprim për ta sjellë drejtësinë. Ata që votuan edhe Gjykatën Speciale. Ata që nuk e kanë çel gojën për cilëndo viktimë”, shkruan Ahmeti.

“Edhe sot ata nuk e kanë për drejtësi, por veç për veten. Krimet janë rreth nesh që 20 vite. Fotografitë na i kanë qorruar sytë që 20 vjet. Por jo! Ju nuk keni bërë as tribunale e as nuk publikuat fotografi. Prokurorinë e keni përdor kundër kundërshtarëve politik e jo për drejtësi”, vazhdon tutje në shkrimin e tij kreu i Prishtinës, njëherësh kryetar i PSD-së.

Ahmeti përkujton se shumica e viktimave të mbijetuara edhe sot jetojnë me ankthin e përjetimit më të tmerrshëm dhe se ato kanë nevojë për drejtësi e jo për maskaradë të atyre që po iu ngushtohet rripi rreth qafës.

“Prandaj mos qani sot, jo pse nuk ju dhimbsen viktimat, por se qëllimin e keni personal. Aq sa kam dëshirë e vullnet për të punuar në zbardhjen e krimeve, e aq sa mendoj që nuk duhet kurrfarë marrëveshje me pas me askënd pa zbulimin e krimeve dhe dënimin e kriminelëve, aq gërdi po më vjen nga hipokrizia e tyre”, shkruan ai.

Loading...