Hetuesit amerikanë besojnë se Irani ose grupet e lidhura me këtë vend kanë përdorur eksplozivët për të dëmtuar katër anije jashtë Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ekspertët ushtarakë që u dërguan për të hetuar incidentin gjetën vrima të mëdha në secilën prej anijeve transportuese të naftës.

Incidenti ka rritur tensionet midis SHBA-së dhe Iranit, që kufizohet me ngushticën e ngushtë të Hormuzit.

Rreth një e pesta e naftës që konsumohet në botë kalon nëpër këtë ngushticë.

Muajin e kaluar, Irani kërcënoi se do ta mbyllë atë. Kjo pasoi një vendim të SHBA-së për ta përfshirë në sanksione importuesin kryesorë të naftës iraniane.

Më herët, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Arabinë Saudite tha se Uashingtoni duhet të ndërmarrë “përgjigje të arsyeshme” pasi është përcaktuar se kush qëndron prapa sulmeve në transportuesit e naftës jashtë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe.

I dyshuari kryesor për sulmin është Irani edhe pse Uashingtoni nuk kishte prova bindëse, tha një zyrtar amerikan i afërt me shërbimet e inteligjencës.

Irani ka mohuar përfshirjen në këtë incident.

“Ne duhet të bëjmë një hetim tërësor për të kuptuar se çfarë ndodhi, pse ndodhi, dhe pastaj të dalim me përgjigje të arsyeshme”, tha ambasadori, John Abizaid.

“Nuk është në interesin e Iranit, nuk është në interesin tonë, nuk është në interesin e Arabisë Saudite që të ketë një konflikt”, tha Abizaid.

Arabia Saudite njoftoi të hënën se dy nga transportueset e saj të naftës janë shënjestruar si pasojë e një “sulmi sabotues” në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ky sulm nuk ka rezultuar me ndonjë viktimë apo rrjedhje të naftës, mirëpo ka shkaktuar dëme të mëdha në strukturat e dy anijeve./REL

Loading...