Në Shqipëri kryeministri Edi Rama tha të martën se është i gatshëm të dialogojë me opozitën, por jo të negociojë për të shtyrë datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit, duke saktësuar se nuk mund të negociohet për të shkelur Kushtetutën e vendit. Oti Rama tha se nuk ndjehet i shqetësuar nga deklarimet e opozitës se nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve vendore, duke u shprehur se “në një vend të Natos të kërcënosh të destabilizosh është një kuturisje qorre” tha ai.

Mes palëve politike në vend qëndron ende në mes një hendek i madh në qëndrimet që ndajnë. Ndërsa opozita këmbëngul në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, përfshirë shtyjen e atyre të 30 Qershorit kreu i qeverisë tha sot se është i gatshëm për dialog, por jo të negociojë datën e zgjedhjeve. “Dialogu është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës demokratike në një vend normal dhe në një shoqëri që bazohet në zgjedhjet e saj te vota. Dhe vendi ka nevojë më shumë se asnjëherë për dialog. Por – saktësoi më tej zoti Rama – negociata nuk ka, që të jemi të qartë, në kuptimin e një procesi negociatash që lidhen me 30 Qershorin. Se nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë Kushtetën e Shqipërisë. Zgjedhjet e 30 Qershorit do mbahen në atë datë”.

Opozita nga ana e saj është përbetuar se nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Kryeministri theksoi se nuk është i shqetësuar. “Në një vend të Natos të kërcënosh të destabilizosh është një kuturisje qorre e një përmase që nuk di ta përshkruaj, sepse nuk është vetëm shteti e ligji. Këtu janë interesa të sigurisë kombëtare që lidhen me sigurinë më gjerë. Nuk kam asnjë shqetësim lidhur me 30 Qershorin. Do bëjmë çmos të informojmë qytetarët dhe ndjekësit që do kenë mbetur deri në 30 Qershor në këtë rrugë pa kryer, se ligji është shumë i qartë dhe pa ekuivok për këdo që tenton të prek të drejtën kushtetuese të popullit për të zgjedhur”, theksoi kryeministri.

Flower

Loading...