Dje, me 29 maj 2019, në Prishtinë u mbajt konferenca ndërkombëtare me temën “Njëzet vite pas: Perspektivat dhe Sfidat për Ballkanin Perëndimor” që u organizua nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan (BPRG). Konferenca u organizua me rastin e njëzet vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

29 maj, Prishtinë -Konferenca ka shtjelluar disa nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet regjioni i Ballkanit Perëndimor kundrejt integrimit në organizata ndërkombëtare duke përfshi BE-në, NATO dhe organizata tjera të sigurisë.

Në mesin e një numri të gjerë të ekspertëve vendas dhe zyrtarëve qeveritarë, kanë marrë pjesë panelistë të shquar nga SHBA, BE, Gjermania, Norvegjia, Hungaria, Sllovenia, Rusia, Maqedonia dhe Shqipëria.

Në hyrje të konferencës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se “Kosova po kalon në një fazë ku duhet të merren vendime të vështira. Kosova është një storie suksesi e cila ende nuk ka përfunduar. Aspirata e Kosovës është anëtarësimi në BE dhe organizata tjera ndërkombëtare. Gjatë këtij rrugëtimi, ne kemi sfida tjera që duhet të tejkalohen por ne kemi bërë progres në rend dhe ligj, me themelimin e ushtrisë së Kosovës dhe përmbushjen detyrave tona si shtet.”

Susan Falatko, drejtoreshë për Ballkanin perëndimor në Byronë për Evropë dhe Euroazi të Departamentit Amerikan të Shtetit, theksoi se “qëllimi ynë, si ShBA, është një Ballkan Perëndimor i begatë dhe i qëndrueshëm, i rrënjosur në sundimin e ligjit dhe institucionet e konsoliduara demokratike”. Kurse Niels Engelschiøn, drejtor i përgjithshëm për marrëdhënie Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë tha se “Evropa nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Rajoni i përket kontinentit tonë gjeografikisht dhe nga kultura. Siguria, liria dhe prosperiteti ynë varen reciprokisht.”

Tri panelet tjera shtjelluan edhe tri tema shumë të rëndësishme. Paneli i parë filloi me temën Përgjegjësinë për të Mbrojtur (R2P), që është një normë e Sigurisë Ndërkombëtare dhe e të Drejtave të Njeriut, e cila vihet në zbatim vetëm në raste të dështimit të Mekanizmave Ndërkombëtar për të parandaluar Gjenocidin, Krimet e Luftës, Spastrimin Etnik dhe Krimet Kundër Njerëzimit. Gjatë panelit u diskutua për mësimet e marra nga e kaluara dhe rruga përpara për rajonin. Pjesë e këtij debati ishin panelistët Muhamet Hamiti, ish ambasador i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar dhe Profesor në Universitetin e Prishtinës, Aidan Hehir, ligjërues në Universitetin Westminster në Mbretërinë e Bashkuar dhe Robert Wilton që është zyrtar ndërkombëtar në Kosovë dhe Shqipëri.

Paneli i dytë shtjelloi temën e misioneve paqeruajtëse dhe integrimin. Thelbi i diskutimit ishte bashkëpunimi aktual dhe ai në ardhmen midis vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE, NATO, OKB dhe OSBE në fushën e misioneve paqeruajtëse. Poashtu në këtë panel u ngritën diskutime në nivelin akademik për forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor me akterë ndërkombëtarë. Paneli u përbë nga Burim Ramadani, zëvendësministër i Mbrojtjes në Republikën e Kosovës, Arian Starova kryetar i Këshillit Atlantik të Shqipërisë dhe Giorgos Triantafyllou nga programi i Evropës Juglindore në ELIAMEP.

Së fundmi konferenca u mbyll me panelin i cili për temë kishe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me qëllim të shqyrtimit të pikëpamjeve ndërkombëtare rreth një marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve. Pjesë e panelit ishin Blerim Shala, këshilltar i Presidentit të Republikës së Kosovës dhe njëherësh anëtar i ekipit negociator të dialogut, Christiane Hullmann që është zëvendës drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Zyrën Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Maxim Samorukov zëvendës kryeredaktor i qendrës Carnegie në Moskë, Peter Grk, sekretar i përgjithshëm i forumit strategjik të Bledi-t nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Sllovenisë dhe Marko Savković që është drejtor i programit nga Fondi i Beogradit për Ekselencë Politike (BFPE), të cilët në hollësi paraqitën pikëpamjet rreth dialogut, procesit dhe zgjidhjes përfundimtare nga perspektivat dhe vende të ndryshme nga ata vinin.

Loading...