Sulmuesi spanjoll Alvaro Morata ka insistuar se ai nuk dëshiron të luajë në asnjë ekip tjetër përveç në Atletico Madrid sezonin tjetër, duke e refuzuar kështu kthimin në Chelsea.

Karriera e Alvaro Moratas nuk ishte aspak e qëndrueshme në Chelsea, ku u transferua nga Real Madridi verën e vitit 2017. Lëndimet kontribuuan në formën e tij të dobët në shumë ndeshje, transmeton Gazeta Express.

Spanjolli nuk pëlqehej shumë nga trajneri i ri, Maurizio Sarri, i cili vendosi ta dërgojë Moratan në huazim për një sezon e gjysmë në Atletico Madrid. Chelsea e zëvendësoi atë duke e huazuar Gonzalo Higuainin nga Juventusi.

Megjithatë, spanjolli e rigjeti formën e tij të mirë në stadiumin “Wanda Metropolitano”, ku i shënoi gjashtë gola në 15 paraqitje në La Liga.

Pasi që Higuaini s’ka arritur ta dëshmojë veten, Eden Hazardi pritet të transferohet në Real Madrid këtë verë dhe Chelseat ia ka ndaluar FIFA të transferojë lojtarë në dy afatet e ardhshme kalimtare – mediat angleze kanë raportuar se klubi mund t’i kthejë lojtarët e huazuar, si Moratan dhe Michy Batshuayin, në Stamford Bridge për sezonin e ardhshëm.

Mirëpo, Atletico Madridi pritet t’i paguajë 16 milionë eurot e nevojshme për ta mbajtur në skuadër Moratan edhe gjatë sezonin të ardhshëm. Edhe Morata e dëshiron një gjë të tillë.

“Ajo që unë e dua është e qartë. Unë dua të jem këtu, do të bëj gjithçka që kam mundësi për të vazhduar të luaj këtu. Unë bëra gjithçka që kisha mundësi për të ardhur këtu dhe do të bëj gjithçka që kam mundësi për të qëndruar”, ka thënë Morata.

“Unë as nuk po e shqyrtoj mundësinë e transferimit te ndonjë klub tjetër. Jam i kënaqur dhe mendoj se kam edhe shumë gjëra të tjera për të bërë këtu. Nuk kam asgjë tjetër në mendje, dua të jem në Atletico Madrid deri në fund të karrierës”

Loading...