Një vit më parë Milani nisi një luftë ligjore me UEFA-n, që dëshironte ta përjashtonte për një vit nga kupat e Europës, për shkak se kishte shkelur rregulloren e Fair-Play Financiar.

Pas apelit në CAS, Milani e fitoi çështjen, duke u rikthyer në Europa League, por nuk është se situata financiare e klubit është përmirësuar dhe sërish historia mund të përsëritet këtë verë.

Shpëtim për Milanin do ishte vendi i katërt, sepse nga kualifikimi në Champions League do arkëtoheshin shifra shumë të rëndësishme, ndërsa vendi i pestë është një dështim financiar, sepse Europa League vlen shumë pak.

Për këtë arsye, Tuttosport del me një lajm të bujshëm sot, sepse shkruan se Milani është penduar që doli kundër UEFA-s vjet dhe këtë verë mund të kërkojë vetë përjashtimin nga kupat e Europës, për të mbyllur historinë me qeverinë e futbollit europian.

Sipas së përditshmes torineze, Milani duhet të barazojë bilancin deri në 2021, sepse përndryshe do të përjashtohet nga kupat e Evropës në një nga dy sezonet pasardhëse. Ndërkaq, po të ishte pranuar dënimi i vjetshëm, Milani do e kishte mbyllur historinë me UEFA-n dhe gjithçka do niste nga e para.

Për këtë arsye, në klubin kuqezi po mendojnë të ulen sërish në tryezën e bisedimeve me UEFA-n dhe të kërkohet një marrëveshje e re, ku Milani do të përjashtohej nga Europa League për sezonin e ardhshëm, me kusht që të hiqen kufizimet e “settlement agreement”, marrëveshjes së mëparshme për barazim bilanci me detyrim deri në 2021.

Loading...