Një atentat me armë zjarri është shënuar pasditen e së dielës rreth orës 18:30, në afërsi të urës së Mifolit, në autostradën Levan-Vlorë.

Objekt i sulmit ishte 28-vjeçari Romario Alliraj nga Vlora, i cili ishte duke udhëtuar me automjetin e tij, kur një tjetër mjet i ka zënë rrugën.

Në drejtim të 28-vjeçarit, nga mjeti që kishte zënë rrugën u lëshua një breshëri plumbash kallashnikovi. Fatmirësisht, Romario Alliraj u ka shpëtuar plumbave dhe ka marrë vetëm lëndime të lehta nga përplasja e mjetit.

Për t’u shpëtuar plumbave, ai ka devijuar dhe ka dalë nga autostrada. Plumba të shumtë kanë goditur automjetin, disa prej të cilave vihen re edhe në derën e shoferit, që duket qartë se ishte objekt i sulmit.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur më shumë se 20 gëzhoja. Policia e Vlorës ende nuk bën të ditur ndonjë motiv apo pistë hetimi lidhur me ngjarjen.

Shënjestra e dyshuar e këtij atentati është marrë në pyetje nga punonjësit e Krimeve në polici, në ambientet e Spitalit Rajonal të Vlorës, ku ishte shoqëruar për t’u kuruar nga plagët e marra jo nga plumbat. Alliraj raportohet të ketë punuar në një piceri, si shpërndarës picash me motor.

Loading...