Pas vetëm një sezoni të Niko Kovacit në pozitën e trajnerit të Bayern Munichut, një tjetër ndryshim pritet të bëhet në Allianz Arena. Kovaci nuk mund ta shpëtojë pozitën e vet edhe nëse arrin të triumfojë edhe në Bundesligë, edhe në DFB-Pokal.

Goal dhe Spox raportojnë se Niko Kovaci do të shkarkohet nga pozita e trajnerit të Bayern Munichut sapo të përfundojë ky sezon. Kroati ishte emëruar në pozitën e trajnerit gjatë verës së vitit të kaluar, transmeton Gazeta Express.

Ai kishte qenë mjaft mbresëlënës në pozitën e trajnerit të Eintracht Frankfurtit dhe për këtë arsye Bayerni Munichu kishte vendosur ta kthente Kovacin në Allianz Arena, ku kroati kishte luajtur gjatë karrierës së tij si futbollist.

Një fillim i ngadaltë në Bundesliga bëri që të ngrihen dyshime për aftësinë e Kovacit qysh në fillim të karrierës së tij te kampioni gjerman. Bayerni kishte mbetur prapa në garën për titullin e Bundesligës, para se të eliminohej edhe nga Liga e Kampionëve, në fazën e 1/8 të finales kundër Liverpoolit.

Megjithatë, që nga atëherë, Bayerni e ka bërë një kthim në fuqishëm në garat vendore dhe e ka mundësinë ta përfundojë sezonin me dy tituj.

Kovacit vetëm i duhet që skuadra e tij të mos pësojë humbje kundër Eintracht Frankfurtit të shtunën dhe Bayerni do të shpallet kampion i Gjermanisë për të shtatin sezon radhazi.

Pastaj, djemtë e Kovacit do të përballen me RB Leipzigun në finale të Kupës së Gjermanisë, DFB-Pokal, më 25 maj.

Megjithatë, as këto dy trofe nuk do të mjaftojnë që Kovaci ta mbajë pozitën e trajnerit, pasi që ai tashmë e ka humbur besimin e drejtuesve të klubit gjerman, sipas Goal.com.

Loading...