Kryeparlamentari Kadri Veseli deklaroi se deputetja Flora Brovina kishte bërë gabim të rëndë me publikimin e fotografisë, që pretendohej se ishte e një dhunimi gjatë luftës në Kosovë, por doli të mos jetë origjinale.

“Atë ditë, Flora Brovina bëri një gabim shumë të rëndë. Flora është vetë viktimë e gjenocidit serb. Flora dhe sjellja e saj, sado që është gabim shumë i madh, është edhe pasojë e atij gjenocidi serb”.

“Reagimet pastaj kanë mundur të jenë më të balancuara dhe më të përmbajtura me Flora Brovinën, si individ, marrë parasysh rrethanat e saj jetësore dhe kontributin e saj. E jo tentuese për ta linçuar, ose edhe më keq, nxitur si komplot të qëllimshëm politik”.

Veseli këto komente i tha gjatë fjalimit të tij në Kuvend, në seancën për gjenocidin ku kërkoi mbështetjen e deputetëve për themelimin e Tribunalit për Serbinë.

Ai kujtoi edhe njëherë krimet e Serbisë në Kosovë.

“Sa për temën, dhunimet gjatë luftës në Kosovë janë fakt i ditur botërisht. Nuk na duhej një foto, as qindra për ta dëshmuar këtë. Sepse, qindra gra të dhunuara ende presin drejtësinë për të dëshmuar!”.

Loading...