Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, i hodhi poshtë, siç tha, “thumbat” e presidentit amerikan, Donald Trump, për “gjenocid” dhe i kërkoi atij që të mos e kërcënojë Republikën Islamike.

Të dielën, në një postim në Twitter, Trump tha se “nëse Irani do luftë, ajo do të ishte fundi zyrtar i Iranit”.

Zarif tha se Trump duhet të shohë historinë.

“Iranianët kanë mbijetuar gjatë mijëvjeçarëve, ndërsa agresorët janë zhdukur … Provojeni respektin – funksionon!”, tha Zarif në një postim në Twitter.

Ditë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme, për t’iu përgjigjur, siç është thënë, kërcënimeve nga Irani dhe për të penguar sulmet kundër interesave amerikanë në rajonin e Gjirit Persik.

Administrata Trump dyshon se Irani po punon fshehurazi në krijimin e bombës atomike.

SHBA-ja po ashtu e konsideron Iranin si financues të terrorizmit ndërkombëtar – akuza këto që hidhen poshtë nga Republika Islamike.

Tensionet midis dy vendeve janë rritur javëve të fundit, pasi SHBA-ja, pos që ka vënë një varg sanksionesh kundër Iranit, i ka kufizuar edhe vendet e tjera të blejnë naftë nga Irani.

Nafta, ndërkaq, është burimi kryesor i të ardhurave në Iran.

Loading...