Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë të para pak ditëve në Opinion të Tv Klan, kishte folur për takimin që kishte pasur me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në nëntorin e vitit të kaluar në Paris, e ku tregonte që i kishte kërkuar mendime edhe për zhvillimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë në njoftimin që kishte lëshuar pas atij takimi, kishte treguar që Putini e përkrah një marrëveshje, për të cilën pajtohen Kosova dhe Serbia.

Megjithatë, duket se kjo nuk i ka pëlqyer fare kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se në asnjë formë, Kosova nuk e parasheh Rusinë në agjendën shtetërore, duke potencuar se Kosova i takon botës së Amerikës.

“Rusia është tërheq prej Ballkanit kohë të gjatë. Ne nuk e parashohim në asnjë agjendë tonën Rusinë. Nuk i takojmë botës së Rusisë. I takojmë botës së Amerikës”, ka thënë Haradinaj, raporton Gazeta Express.

Ndër të tjera Haradinaj i ka quajtur si deklarata për konsum ditor, ato që Thaçi thotë kinse për përjashtimin e SHBA-së nga Samiti i Berlinit, e i Parisit.

Sipas tij, Amerika asnjëherë nuk është tërhequr nga Ballkani dhe vazhdon të qëndrojë e kyçur në proceset ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Amerika nuk është tërheq asnjëherë. Janë këtu disa prononcime ditore qysh Samiti i Berlinit ose takimi i Parisit është përjashtim i Amerikës. Po e dini besoj pse po iu them. Nuk mundet me përjashtu Amerikën dikush prej proceseve në Kosovë e në Ballkan”, ka shtuar kreu i Qeverisë në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë.

Në fund, Haradinaj ka falënderuar shtetet evropiane, të cilat kanë ndërhyrë dhe ia kanë hequr nga dora dialogun Mogherinit, dhe kanë ndalur agjendën e saj për ndarje të Kosovës.

“Kjo është çështje e brendshme. Evropianët ia kanë hek Mogherinit nga dora agjendën e ndarjes së Kosovës dhe ju jemi shumë falënderues”, ka përfunduar Haradinaj. /GazetaExpress/

 

Loading...