Mesfushori i Villarrealit, Santi Cazorla, është ftuar në skuadrën e Kombëtares së Spanjës për ndeshjet e qershorit. Ai është kthyer në skuadrën e “La Furia Roja” për herë të parë që nga viti 2015.

Ish-mesfushori i Arsenalit i kaloi mbi dy vjet jashtë fushës së blertë, për shkak të një lëndimi, për të cilin u bë operacion plot dhjetë herë, transmeton Gazeta Express.

Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, e ka shpërblyer 34-vjeçarin për paraqitjet e tij mbresëlënëse me Villarrealin në La Liga këtë sezon, duke e ftuar atë në ekip kombëtar për herë të parë që nga viti 2015.

Spanjolli i ka bërë 45 paraqitje për Villarrealin në të gjitha garat këtë sezon, gjatë së cilave i ka shënuar shtatë gola. Ai u largua nga Arsenali në fund të sezonit të kaluar.

Enrique e publikoi listën me lojtarët që i ka ftuar për ndeshjet e qershorit, për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020. Spanja do të përballet me Ishujt Faroi më 7 qershor dhe me Suedinë më 10 qershor.

Paraqitja e fundit e Cazorlas për Spanjën ishte në fitoren me rezultat 2:0 në ndeshjen miqësore kundër Anglisë, në nëntor të vitit 2015.

Gjithashtu, edhe sulmuesi i Real Sociedadit, Mikel Oyarzabal, është ftuar për herë të parë në ekipin kombëtar të Spanjës. Isco i Real Madridit është kthyer në Kombëtare, pasi mungoi në skuadrën e fundit të zgjedhur nga Enrique

Loading...