Portieri i Portos, Iker Casillas, është duke planifikuar që sapo të përfundojë ky sezon ta bëjë zyrtar vendimin për t’u pensionuar nga karriera e tij si futbollist, pas sulmit në zemër që e pësoi këtë muaj.

37-vjeçari, fitues i Kupës së Botës, dëshiron që ta bëjë publik vendimin për pensionim në fund të këtij sezoni, në mënyrë që të mos ketë spekulime për të ardhmen e tij, shkruan gazeta portugeze O Jogo, transmeton Gazeta Express.

Casillas, i cili i kishte bërë 725 paraqitje për gjigantin spanjoll Real Madrid, u shtrua në spital pasi e pësoi një sulm në zemër gjatë fillimit të këtij muaji.

Pesë ditë më vonë ai u lirua nga spitali, mirëpo la të kuptohet se mund t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist.

“Nuk e di çfarë do të sjellë e ardhmja, por gjëra më e rëndësishme është që jam sot këtu. Po ndihem shumë më mirë, do të pushoj për disa javë apo edhe disa muaj”, kishte thënë Casillas.

Porto është ende në luftë për titullin e Liga Nos, mirëpo ka mbetur dy pikë prapa rivalit, Benfica, me vetëm edhe një ndeshje deri në fund të sezonit.

Casillasi synon ta zyrtarizojë pensionimin e tij sapo të përfundojë ky sezon. Ndeshja e fundit e Portos është finalja e Kupës së Portugalisë, kundër Sportingut, më 25 maj.

Loading...