Ish-trajneri legjendar i Manchester Unitedit, Sir Alex Fergusoni, e kishte detyruar Beckhamin t’i rruajë flokët në zhveshtoren e stadiumit kombëtar të Anglisë, “Wembley”, para një ndeshjeje të “Djajve të kuq”.

David Beckham ka bërë të ditur se ai e kishte mbajtur një kapelë në kokë gjatë seancave stërvitore për t’ia fshehur trajnerit Sir Alex Fergusonit stilin e ri të flokëve, para përballjen me Chelsean në Charity Shield në vitin 2000, transmeton Gazeta Express.

Por, kur Fergusoni ia kishte parë më në fund stilin e ri të flokëve Beckhamit, ai e kishte detyruar yllin e skuadrës së tij t’i rruajë flokët në zhveshtore para se ta lejonte të dilte në fushën e lojës.

“Unë hyra në zhveshtore dhe ai nuk m’i kishte parë flokët sepse unë kisha qenë shumë i frikësuar t’ia tregoja”, ka zbuluar Beckhami në një intervistë me Otro, me rastin e përvjetorit të 20-të të sezonit 1998/99, kur Manchester Unitedi e fitoi tripletën.

“Unë kisha shkuar për stërvitje një ditë përpara me kapelë, isha stërvitur me kapelë, isha kthyer, kisha shkuar në hotel me kapelë e kapelën e mbajta edhe në autobus, gjatë rrugës për në stadium”.

“Pastaj kur po bëhesha gati për ndeshje, e hoqa kapelën dhe ai më tha: “Shko dhe rruaji flokët”. Unë qesha dhe ai më tha: “Jo, e kam seriozisht. Shko dhe rruaji flokët”. Kështu që unë u detyrova ta gjej një makinë rroje dhe t’i rruaja flokët në stadiumin Wembley. Trajneri i bënte gjithmonë rregullat”.

Manchester Unitedi u mposht me rezultat 2:0 në atë ndeshje kundër Chelseat. Golat për londinezët i shënuan Jimmy-Floyd Hasselbaink dhe Mario Melchiot.

Beckhami e pati mundësinë ta shfaqë stilin e tij të flokëve vetëm kur ishte në detyrë me ekipin kombëtar të Anglisë. Anglezi shtoi se kjo zënkë me Fergusonin nuk do të kishte ndodhur tani, në futbollin modern.

“Tani është shumë më normal të bësh gjëra të tilla, kështu që është normale ta kesh një stil të atillë të flokëve ose ta kesh një tatuazh në qafë dhe të mbathësh çizme me ngjyra të ndezura”, shtoi Beckhami.

“Kur ne ishin duke u rritur, trajneri nuk na lejonte ta bënim as edhe një hap në fushë me çizme të kuqe apo të bardha. Ishte kaq e thjeshtë. Gjërat si kjo kanë ndryshuar plotësisht tani”.

Loading...