Bayerni Munichu shkroi historinë sot me fitoren 5:1 kundër Eintracht Frankfurtit, pasi u shpall kampion i Bundesligës për të shtatin sezon radhazi. Fitorja kundër Monchengladbachut nuk i mjaftoi Dortmundi për t’ia ndalur këtë ecuri Bayernit.

Bayern Munichu u shpall sot për të 29-tën herë kampion i Gjermanisë, duke e thyer rekordin e vet për më së shumti tituj të Bundesligës, raporton Gazeta Express.

Këtë sukses e arriti në mënyrë mjaft mbresëlënëse, duke e mposhtur Eintracht Frankfurtin me rezultat 5:1, përkundër që i mjaftonte edhe barazimi për ta fituar trofeun.

Gjithçka filloi me golin e Kingsley Comanit, i cili shënoi pas vetëm katër minutave lojë. Përvec zëvendësimit të Leon Goretzkas, i cili mbeti i lënduar, asgjë tjetër vendimtare nuk ndodhi në 45 minutat e parë të lojës.

Ndërsa, pjesa e dytë ishte përplot emocione, pasi që në të u shënuar plot pesë gola. Fillimisht Frankfurti e barazoi rezultatin përmes Sebastian Hallerit, mirëpo Bayerni u përgjigj me golat nga David Alaba dhe Renato Sanchesi.

Franck Ribery dhe Arjen Robbeni ia dhanë sot lamtumirën e përsosur kampionit gjerman, përkundër që u futën në lojë nga stoli. Që të dy ata arritën të shënojnë nga një gol, Ribery në minutën e 72-të ndërsa Robbeni vetëm gjashtë minuta më vonë.

Bayerni e pati më të vështirë të shpallet kampion këtë sezon, pasi që Dortmundi, që radhitet vetëm dy pikë prapa bavarezëve, i bëri garë të fortë. Edhe Dortmundi e fitoi ndeshjen e fundit të këtij sezoni, kundër Monchengladbachut.

Skuadra e Niko Kovacit do të ketë mundësi që sezonin ta përfundojë edhe me më shumë se vetëm titullin e Bundesligës, pasi që më 25 maj do të luajë në finale të Kupës së Gjermanisë, DFB-Pokal, kundër Leipzigut.

Loading...