Paraditen e sotme, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi është takuar me homologen e tij holandeze, Khadija Arib.

Ruçi e informoi kryetaren Arib mbi arritjet e Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe të rekomanduara nga Këshilli Evropian për hapjen e negociatave, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në arritjet e reformës në drejtësi, të cilën Ruçi e vlerësoi si kryereforma e proceseve integruese, dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Arib vuri në dukje se Holanda dhe Shqipëria  kanë marrëdhënie bashkëpunimi të konkretizuara në vizita të parlamentarëve holandezë në Shqipëri dhe parlamentarëve shqiptarë në Holandë. Ajo vlerësoi arritjet e Shqipërisë në fushën e reformave dhe nënvizoi në mënyrë të veçantë arritjet në fushën e sundimit të ligjit.

Në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Arib tha se Parlamenti i Holandës pret publikimin e Raportit të Komisionit Evropian si edhe të reporterëve të Komisionit parlamentar për Evropën, të cilët ishin për vizitë në Shqipëri në fillim të majit.

Në takim ishin të pranishëm kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, z. Taulant Balla dhe kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat dhe e komisionit parlamentar të Integrimit, znj. Rudina Hajdari.

Loading...
Global