Zbulohen dy bllokues molekularë që riaktivizojnë rinimin e lëkurës dhe trurit, proteina CD22, që kontrollon aktivitetin e qelizave pastruese të trurit dhe proteina COL17A1, që rregullon shtimin e qelizave staminale të lëkurës.

Këto molekula u zbuluan tek minjtë falë dy kërkimeve të pavarura, të publikuara në revistën shkencore “Nature” nga Universiteti i Stanford, “Tokyo Medical” dhe Universiteti Dental, që i hapin rrugën skenarëve të rinj edhe tek njeriu për të luftuar plakjen dhe sëmundjet që dëmtojnë trurin si Alzheimer dhe Parkinson.

Studimi më premtues është ai i shkencëtarëve të Stanford, që kanë përqendruar vëmendjen mbi 3 000 gjene aktive në qelizat pastruese të trurit duke zbuluar një gjen të veçantë, që quhet CD22 dhe që është i pranishëm edhe tek njeriu, që me kalimin e kohës bëhet shumë aktiv, duke prodhuar nivele shumë të larta të proteinës që mban të njëjtin emër duke ngadalësuar aktivitetin e pastrimit të trurit.

Duke bllokuar këtë proteinë me një antitrup specifik, u mundësua riaktivizimi i qelizave pastruese duke përmirësuar performancat njohëse tek minjtë e vjetër, duke u barazuar me ata të rinj, përcjell Atsh.

Nga ana tjetër, studiuesit në Tokio, në bashkëpunim me ata të Universitetit të Kolorados, kanë zbuluar proteinën COL17A1 që stimulon garën mes qelizave staminale të lëkurës duke garantuar integritetin e cipës.

Megjithatë, aktiviteti i saj bie me kalimin e kohës, si përgjigje ndaj streseve si oksidimi dhe ekspozimi ndaj rrezeve Uv, duke përcaktuar plakjen e lëkurës.

Për të bllokuar këtë proces, janë identifikuar dy përbërës që kanë treguar se i ruajnë nivelet e proteinës COL17A1 në qelizat e lëkurës njerëzore, përveç se favorizojnë riparimin e lëkurës së dëmtuar tek minjtë.

Loading...