Twitter ka trefishuar fitimet, ndërsa baza e tij globale është rritur gjithashtu. Përfitimet e shërbimit social gjatë tremujorit të parë mbërritën në 191 milionë dollarë, krahasuar me 61 milionë dollarë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas shefit ekzekutiv, Jack Dorsey, Twitter po përfiton nga lëvizjet e tij për të larguar përmbajtjet abuzive e jo autentike, të cilat ia kishin dëmtuar reputacionin.

“Qasja jonë për reduktimin e abuzimeve ka qenë shumë më aktive, – u shpreh Dorsey. – Pasojat e kësaj lëvizjeje po shihen fare qartë. Ne po ua tkurrim viktimave barrën mbi supe, e kur është e mundur kalojmë në veprim, që përpara se abuzimi të raportohet”.

Twitteri, nga sa theksoi ai, po bëhet më bashkëbisedues dhe po lançon edhe prototipin e një aplikacioni të ri, të quajtur “Twttr”, me qëllimin që ta bëjë bisedën më të shpejtë, më të rrjedhshme dhe më argëtuese.

Rezultatet e tremujorit ishin më të mira nga sa pritej, e kjo u reflektua edhe tek aksionet e Twitterit, që u rritën me 6%.

Platforma e mesazheve është kthyer në një mjet të rëndësishëm komunikimi për persona të famshëm, politikanë e gazetarë, por nuk ka arritur të rritet po aq shpejt sa Facebooku dhe mediet e tjera sociale, në mesin e përdoruesve të zakonshëm të internetit.

Loading...