Ish-futbollisti dhe trajneri i Chelseat, Glenn Hoddle, beson se Eden Hazardi është po aq i pazëvendësueshëm sa Lionel Messi i Barcelonës.

Drejtuesit e Chelseat po shpresojnë se nuk do ta gjejnë veten në atë pozitë që të detyrohet ta gjejnë një zëvendësues për yllin belg të skuadrës së tyre, Eden Hazardin, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, me kalimin e kohës, spekulimet se Hazardi do të transferohet në Real Madridi po intensifikohen gjithmonë e më shumë, tani që belgu po hyn në vitin përfundimtar të kontratës së tij me klubin londinez.

Lajmet për interesimin e Real Madridit për Hazardin s’kanë të ndalur dhe vetë 28-vjeçari ka qenë shpeshherë personi që i ka nxitur këto fjalë me deklaratat e tij kur pyetet për të ardhmen e karrierës.

Hoddle e pranon se humbja e një lojtari kaq të talentuar do të jetë një goditje e madhe për Chelsean, pasi që beson se Hazardi është njëri prej pak lojtarëve që kanë ndikim shumë të madh në klubet e tyre.

“Nëse Messi pensionohet, si do të mundë ta zëvendësojë atë Barcelona? Hazardi nuk është në atë kategori, por si mund ta zëvendësojë atë Chelsea? Nuk mundet”, është shprehur ish-trajneri i Anglisë për BT Sport.

“Nuk e shoh askënd që mund të luajë çdo javë dhe ta bëjë atë që e bën vazhdimisht Hazardi. Mund ta shoh atë në fanellë të bardhë sezonin tjetër dhe besoj se ai do ta shijojë futbollin atje”.

“Javën tjetër, kundër Liverpoolit, ai do të të luajë pothuajse si një mbrojtës dhe një gjë e tillë nuk do t’i ndodhte në Spanjë. Personalisht, unë shpresoj që ai nuk do të largohet”.

Loading...