Drejtuesit e Chelsea nuk lejuan hyrjen në stadium të tre tifozëve në përballjen e të entjes për Europa League, të fituar nga “Blutë e Londrës” ndaj Slavia Prague, pasi ata u identifikuan se ishin përfshirë në një video të rrjeteve sociale që përmbante kore me abuzim racor ndaj sulmuesit të Liverpool, Mohamed Salah.

Pikërisht në lidhje me këtë çështje, trajneri i “Të kuqve”, Jurgen Klopp ngriti zërin duke kërkuar përjashtimin e përjetshëm të individëve të tillë.

“Mendoj se është e pështirë. Nuk duhet ta shohim si një gjë të Chelsea apo të Liverpool. Është një tjetër shenjë se diçka po shkon keq. Janë ende pak persona, por sa më i ashpër të jetë reagimi nga të gjithë ne, aq më shumë do të ndihmojë të evitojmë gjëra të tilla në të ardhmen”, u shpreh trajneri gjerman.

“Këta njerëz, jo gjithmonë janë tifozë futbolli, kështu që nëse bën diçka të tillë, atëherë nuk duhet të lejohesh të hysh më kurrë në stadium gjatë të gjithë jetës tënde. Ata duhet të përjashtohen përjetësisht. Futbolli është shembulli më i mirë se si njerëz të ndryshëm, raca të ndryshme mund të punojnë bashkë shkëlqyeshëm”, deklaroi trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp.

Loading...