Shumë entuziastë të videolojërave ëndërrojnë të krijojnë koleksione të tyre, që pastaj të mund të luajnë sa më shumë lojëra që është e mundur.

Por, një burrë në Teksas mund të luajë gjithçka që ai dëshiron, pasi që ai ka koleksionin më të madh të videolojërave në botë.

Antonio Monteiro ka 20.139 lojëra në shtëpinë e tij në Riçmond. Duke filluar nga lojërat që luheshin në konzolat e para të mundshme, deri tek gjeneratat e fundit të platformave të PlayStation dhe Xbox, koleksioni i tij është aq i madh, saqë u deshën tetë ditë që të numëroheshin të gjitha lojërat e tij për të konfirmuar rekordin.

Antonio ka filluar të mbledhë lojërat prej se ishte 12 vjeç.

“Atë kohë mundësia për t’u kyçur në lojëra ishte e limituar, dhe kështu edhe koleksioni im ishte i tillë”, ka thënë ai. “Kurrë nuk e kam imagjinuar që do përfundoja me një koleksion të përmasave të tilla”, është shprehur Antonio.

Koleksioni i tij përfshin këto lojëra: më shumë se 1000 lojë të PlayStation 1, komplet koleksioni i PlayStation 2 për Amerikën Veriore, komplet koleksioni i PlayStation 3 për Amerikën Veriore, më shumë se 900 lojëra të PlayStation 4, çdo lojë që ka dalë në PS Vita në Amerikën Veriore, komplet koleksioni i PSP’së për Amerikën Veriore, komplet koleksioni për Xbox në Amerikën Veriore, komplet koleksioni për Xbox 360 për Amerikën Veriore, më shumë se 500 lojë të Xbox One, komplet koleksioni i Wii U për Amerikën Veriore, komplet koleksioni i Game Cube për Amerikën Veriore, komplet koleksioni për Wii e Amerikës Veriore, 118 lojëra të Nintendo Switch, lojëra nga Turbografx, lojëra të Super Famicon, dhe komplet koleksioni i Sega Dreamcast për Amerikën Veriore.

Këto janë vetëm disa më të rëndësishme, pasi që koleksioni i tij vazhdon të rritet ende.

Nga të gjitha lojërat që posedon, Antonio citon Castlevania IV si të preferuarën e tij, dhe e përshkruan atë si një kryevepër.

Siç edhe pritet nga një koleksionues virtuoz, aty ka shumë lojëra të pazakonta që shumë vështirë gjenden.

Por, me kaq shumë zgjidhje të ndryshme, si arrin ai të vendosë se cilën lojë ta luajë?

“Kam një listë të lojërave të cilat dua t’i luaj, dhe fokusohem që të përfundoj secilën para se të dal te tjetra. Periodikisht e freskoj listën bazuar në daljet e reja që më interesojnë”, shton entuziasti unik i video lojërave.

 

Loading...