Sezoni zhgënjyes i Real Madridit është afër fundit. Trajnerët dhe drejtuesit e klubit madrilen i kanë analizuar problemet e tyre këtë sezon dhe kanë vendosur që është e nevojshme t’u ndihmojnë lojtarëve ta rigjejnë formën e tyre, dhe jo t’i zëvendësojnë të gjithë ata.

Disfata në Santiago Bernabeu kundër Gironës në shkurt i dha një goditje tjetër Real Madridit këtë sezon në La Liga. Pastaj, “Los Blancos” u eliminuan nga Kupa e Mbretit dhe nga Liga e Kampionëve, shkruan Marca, transmeton Gazeta Express.

Zinedine Zidane dëshiron t’i gjejë zgjidhjet e problemeve të Real Madridit për sezonin e ardhshëm. Ai i ka analizuar vështirësitë e skuadrës gjatë këtij sezoni, si formën e dobët të lojtarëve si Isco, Marcelo e Gareth Bale.

Në Madrid besojnë se ata mund ta ndryshojnë plotësisht situatën në klub dhe të kthehen në majat e futbollit evropian, ashtu si e kërkon historia e klubit.

Megjithatë, për ta arritur këtë gjë, Real Madridi do të duhet t’i përsërisë paraqitjet e mrekullueshme të sezonit të kaluar dhe kthimi i Zidanit sinjalizon se ky mund të jetë fillimi i një epoke të re.

Santiago Solari mund të ketë qëndruar deri në fund të këtij sezoni në pozitën e trajnerit të Real Madridit, mirëpo bordi drejtues e shihte Zidanin si të vetmin trajner që mund ta ndalte rënien e skuadrës.

Edhe pse sjellja e një numri të madh të lojtarëve i ka zhgënjyer drejtorët e klubit, ata besojnë se Zidane mund ta nxjerrë më të mirën nga skuadra aktuale. 46-vjeçari do ta thotë fjalën e fundit, mirëpo prioriteti i tij është që t’u ndihmojë lojtarëve të tij, si Bale, Isco e Marcelo, që ta arrijnë nivelin më të lartë të tyre.

Real Madridi nuk dëshiron të largojë shumë lojtarë nga skuadra dhe t’i zëvendësojë ata me lojtarë të rinj. Klubi madrilen dëshiron ta mbajë të njëjtën bazë të lojtarëve dhe t’u ndihmojë atyre të ritransformohen në lojtarët që e kishin fituar titullin e Ligës së Kampionëve tri herë radhazi. /

Loading...