Në Tiranë, rreth orës 22, ka përfunduar protesta e nëntë e opozitës së bashkuar kundër Qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama .

Protesta është mbyllur me fjalimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka thënë se kjo protestë tregoi se për Kryemninistrin Edi Rama dhe qeverinë e tij “po bie muzgu i zi”.

“Po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet dhe për bandën e korrupsionit”, ka thënë Basha.

Protesta e sotme e opozitës është shoqëruar me tensione, shkatërrime dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. Policia, përmes thirrjeve me megafon, u ka kërkuar organizatorëve të protestës dhe protestuesve që të mos hedhin mjete piroteknike, si fishekzjarre, kapsolla dhe tymuese, në drejtim të punonjësve të policisë.

Por, grupe më radikale protestuesve i kanë shpërfillur thirrjet e policisë dhe e kanë çarë kordonin e policisë para ndërtesës së Kryeministrisë. Policia ka përdorur disa herë gaz lotsjellës për të zbrapsur protestuesit, ndërsa protestuesit kanë gjuajtur me mjete të forta, me shashka dhe me lëndë tymuese ndërtesën e Kryeministrisë dhe pjesëtarët e policisë që kishin krijuar kordon përpara ndërtesës.

Protestuesit janë zhvendosur edhe para ndërtesës së Parlamentit. Policia ka hedhur edhe atje gaz lotësjellës për ta shpërndarë turmën, kurse protestuesit e kanë gjuajtur policinë me shashka, me tymuese dhe me mjete të forta.

Në një moment protestuesit ia kanë vënë flakën edhe një veture që gjendej para Parlamentit.

Raportimet nga Tirana flasin për të paktën pesë policë dhe për dhjetra qytetarë të lënduar gjatë përplasjes mes protestuesve dhe policisë.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Aleksandër Lleshaj, në një postim në Tëitter, ka thënë se pesë policë janë plagosur dhe janë shtruar në spital.

Ndërkaq opozita ka folur për 15 protestues, mes tyre edhe gazetarë të cilët janë plagosur ose kanë pasur probleme me frymëmarrjen, për shkak të gazit lotësjellës që e ka hedhur policia.

Kryetari i Partisë Demokratyike, Lulzim Basha, duke i falënderuar protestuesit për pjesëmarrje, ka theksuar se vetëm zgjedhjet e lira e të ndershme mund t’ia kthejnë legjitimitetin Parlamentit.

“Ne luftojmë për një kauzë të drejtë, për një Qeveri të çliruar nga krimi, për zgjedhje të lira, për rend dhe siguri. Klika e krimit e bërë njësh me qeverinë që kemi përballë do të shembet nga themelet”, ka shkruar Basha në Facebook.

Në përpjekje që ta rrëzojë Qeverinë e Edi Ramës dhe ta çojë vendin në zgjedhje, opozita i ka djegur në mënyrë kolektive mandatet e deputetëve të saj. Ajo po kërkon largimin e qeverisë dhe kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie transitore, e cila do ta ushëhiqte vendin deri në zgjedhjet e parakohshme dhe do të krijonte kushte që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme.

Opozita po e konteston edhe legjitimitetin e Parlamentit.

Sipas saj, Partia Socialiste e ka siguruar shumicën në parlament, përmes blerjes së votav dhe manipulimeve të tjera. Sipas saj, mazhoranca aktuale është e lidhur me narkomafinë dhe me krimin e organizuar.

Loading...