Dereck Chisora do ta ketë një mundësi të artë të boksojë me Anthony Joshuan më 1 qershor. Mirëpo, boksieri britanik fillimisht duhet ta mposht këtë të shtunë boksierin shqiptar, Senad Gashi

Dereck Chisora është para një sfide të madhe, shkruan Gazeta Express.

Boksieri britanik do të përballet këtë të shtunë me boksierin shqiptar, Senad Gashi, në duelin që do të zhvillohet në palestrën “O2 Arena” në Londër, duke filluar nga ora 23:00.

Mirëpo, Chisora e ka mendjen diku tjetër.

35 vjeçarit i është ofruar mundësia e jetës për të boksuar me kampionin aktual botëror, Anthony Joshua më 1 qershor.

Në fakt, Chisora një herë duhet ta mposht boksierin nga Peja me prejardhje shkodrane, për ta pasur më pas mundësinë që të ndeshet me Joshuan në qershor në palestrën “Madison Square Garden” të New Yorkut.

Joshua planifikonte t’i kryqëzojë dorëzat me Jarrell Miller më 1 qershor, por ky meç është anuluar për shkak se sfiduesi i britanikut ka rezultuar pozitiv në kontrollin e antidopingut.

Prandaj, Joshua është në kërkim të kundërshtarit të qershorit dhe Chisora është vetë-ofruar.

Këtë e ka bërë të ditur boksieri i njohur, David Haye, i cili e ka telefonuar menaxherin Eddie Hearn për këtë punë.

“Unë kam marrë thirrje nga Dereck Chisora, i cili ka meç këtë të shtunë. Ai më tha: ‘Dëgjo, fute emrin tim në listë. Unë jam boksier që kam fituar çmime, jam 35 vjeç dhe kam treguar kundër Dillian Whyte se i kam ato që nevojiten për të qenë në nivelet më të larta”, ka thënë Haye për Sky Sports News.

“Por, fillimisht Chisora duhet ta fitojë meçin e tij me Gashin në stil të mirë, për ta bërë atë kandidat për t’u përballur me Joshuan. Dereck është në formë të mirë. Ai do ta ketë një ditë apo dy pushim dhe më pas të përgatitet për meçin eventual më të madh të jetës së tij”, ka përfunduar Haye.

Joshua aktualisht mban titujt e kampionit në WBA, WBO, IBF e IBO dhe Chisora me një fitore eventuale do të bëhej kampion bote në këto versione.

Sidoqoftë, boksieri shqiptar, Gashi do të mundohet ta fitojë duelin më të madh të karrierës së tij, pasi do të ketë punë me Chisoran, i cili në të kaluarën është përballur me boksierë të mëdhenj si Vitali Klitschko, Tyson Fury e David Haye.

Loading...