Kane nuk do të luajë më këtë edicion, kështu raportojnë mediat britanike.

Tottenham do të duhet të përballet në ndeshjen e kthimit ndaj Manchester Cityt në “Etihad Stadium” pa yllin e skuadrës, Harry Kane.

Frika e madhe e trajnerit, Mauricio Pochetino, është materializuar, pasi bomberi anglez, pas dëmtimit të rëndë të pësuar në sfidën e luajtur në stadiumin e ri, do të humbë sezonin.

Dëmtimi është shumë serioz dhe kjo bën që edhe Anglia të mos ketë në dispozicion sulmuesin për ndeshjet kualifikuese të “Euro 2020” por ndoshta edhe sa i përket fazës finale të Ligës së Kombeve.

Kane e kapi këmbën keq në tentim për të mos e lënë topin të dilte në rivënie anësore, teksa Delph e shkeli edhe me taka, por në mënyrë të pavullnetshme.

Ai u largua nga stadiumi me paterica dhe pas ndeshjes, Pochettino tregoi se nuk duket aspak mirë dhe ashtu doli në realitet. Kane duket se nuk do të luajë më këtë edicion.

Kane ka bërë 39 paraqitje këtë edicion me Tottenham dhe ka arritur të shënojë 24 gola.