Barcelona ka fituar pa shumë probleme ndaj Junajtedit në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Katalanasit kanë mposhtur “Djajtë e Kuq”, me rezultatin e pastër 3-0 në “Camp Nou” dhe avancojnë në gjysmëfinale, ku do të ndeshen me Liverpulin ose Porton.

Ndeshja nuk kishte histori dhe mund të quhej e mbyllur që pas 20 minutave të para pasi Messi kishte shënuar dopietën e tij brenda katër minutave. Sulmuesi argjentinas ka shënuar 24 gola në 32 ndeshje të Ligës së Kampionëve ndaj kundërshtarëve anglezë, më shumë se çdo lojtar tjetër në këtë kompeticion.

Goli i parë ishte i magjishëm, ndërsa i dyti ishte një gafë trashanike e portierit David De Gea. Pas pushimit, Koutinjo ka shënuar golin e tretë nga distanca.

Të tre golat e vendasve kanë qenë me goditje nga jashtë zonës, diçka që nuk kishte ndodhur në një ndeshje të Ligës së Kampionëve që prej vitit 2017.

Në minutat e mbetura Barça e administroi pa probleme avantazhin duke mos lejuar Junajtedin të shënonte as golin e nderit në “Camp Nou”.

Loading...