Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov deklaroi se shpreson që Britania e Madhe do t’i respektojë të gjitha të drejtat e themeluesit të “Uikiliks”, Xhulijan Asanzh, të cilin policia britanike a arrestoi sot në Ambasadën e Ekuadorit në Londër.
“Nëse citimet e mediumeve janë të sakta, ai është arrestuar në Londër. Ashtu që nuk kam çka të shtoj më shumë. Shpresoj se të gjitha të drejtat e tij do të respektohen”, theksoi Peskov, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse Rusia është e gatshme t’i japë azil Asanzhit.
Duke e komentuar arrestimin e Asanzhit, zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Marija Zaharova në profilin e saj në Facebook publikoi se kjo procedurë ka treguar se “dora e demokracisë” e shtrëngon fytin e lirisë”.
Policia britanike sot kumtoi se e ka arrestuar themeluesin e Uikiliksit, Xhulijan Asanzh. Asanzh ishte arrestuar në ndërtesën e Ambasadës së Ekuadorit në Londër, ku ka qëndruar shtatë vitet e fundit.
Në kumtesën e policisë britanike citohet se Asanzhi 47 vjeçar është arrestuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës në Uestminster të dhënë më 29 qershor të vitit 2012, sepse nuk është paraqitur në terminin e parashikuar./mia