Erërat gjatë natës kanë shpërndarë edhe më tej flakën në malet e Karadakut të Shkupit. Terreni i ashpër, ka vështirësuar më shumë punën e ekipeve për të lokalizuar zjarrin, thonë autoritetet. Nga zjarri po digjen pyje të ulëta në ato zona të pabanuara, në lartësi mbidetare prej 1,400 metrave mbi fshatrat Luboten, Rashtak dhe Viniçe. Sipas komandantit të brigadës së zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit Vlladimir Simonovski, zjarri i cili ishte aktiv që dje në mesditë, pothuajse ishte shuar, por kushtet klimatike nuk ishin në favor të tyre.

Sipas të gjitha zjarreve që ndodhën dy muajve të fundit, u shkaktuan nga faktori njeri, të cilët djegin barin e tharë nëpër rudina. Sipërfaqja është e madhe nga Karadaku i Shkupit deri në krahun e maleve të Kumanovës, me gjasë diku rreth 1,500m2, por janë përfshirë pyje të ulëta, me pak dëme”- tha Vlladimir Simonovski, Brigada e zjarrfikësve të Shkupit.

Ekipet e zjarrfikësve ishin në terren gjatë natës, ndërsa nga orët e hershme të mëngjesit sërish janë angazhuar edhe forcat ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Zëvendësdrejtori i këtij institucioni Ekrem Zendeli tha se dyshohet që barinjtë i kanë vënë flakën fushave për të pastruar kullosat e pranverës pasojat e të cilëve, po përpiqen t’i minimizojnë me 2 aeroplanë që janë duke spërkatur me ujë vatrat e zjarrit, deri aty ku nuk arrijnë të futen nga toka ekipet e zjarrfikësve.

Ne vazhdojmë edhe sot, kemi kërkesë në të njëjtën pjesë të Karadakut të Shkupit, më saktësisht vatra e zjarrit është në një vend të quajtur ‘Guri i bardhë’, aty janë edhe stanet e barinjve. Jemi duke intervenuar dhe mendojmë që do t’ia arrijmë qëllimit nëse koha na premton dhe nuk del ndonjë erë më e fuqishme që ta vështirësoj edhe më tepër punën tonë në terren”- pohoi Ekrem Zendeli, zëvendësdrejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Nga Qendra për menaxhimin me krizat, thonë se janë në koordinim së bashku me NP “Pyjet e Maqedonisë” dhe dy institucionet e lartë përmendura që ky zjarr mos t’i prek zonat e pyjeve të larta./alsat/

 

Loading...