Është lokalizuar zjarri që përfshiu një sipërfaqe të madhe të malit mbi fshatrat Dellogozhdë dhe Pohum në rajonin e Strugës një ditë më parë. Ndërkohë, ndërsa komuna bleu makina në vlerë totale prej 114 mijë euro, mes të cilave edhe makinë Audi A6 me të cilën do të vozitet kryetari Ramiz Merko, gati katër muaj të prishura qëndrojnë dy cisternat për mbushjen me ujë të njësitit kundër zjarrit. Zëvendës- komandanti Riste Taleski shprehet se kjo ua vështirëson shuarjen e zjarreve me të cilat çdo ditë ballafaqohen. Shton se kanë deficit të automjeteve ndërsa edhe ato që i posedojnë, janë të vjetra dhe me afat të kaluar të përdorimit.

Shërbimi territorial kundër- zjarrit në Strugë posedon gjashtë kamionë dhe dy automjete terreni. Dy cisternat janë të viteve 1979-1980, që për momentin nuk janë në përdorim. Për momentin, nuk kemi automjet përcjellës për mbushjen e ujit në rast të ndonjë zjarri të madh. Pasi në komunën e Strugës nuk kemi rrjet uji, cisterna ka vlerë të madhe pasi është mjet lëvizjes dhe ndihmon në mbushjen e ujit – tha Riste Taleski- zëvendës/ komandant i shërbimit kundër zjarrit.

Taleski thotë se detyrohen që disa herë të mbushin ujë me automjetet që i kanë në posedim ndërsa në rast të ndonjë zjarri më të madh, ndihmë kërkojnë nga shërbimi anti- zjarr i Ohrit. Automjeti më i ri është i vitit 1990 ndërsa të tjerat janë të vjetra madje mbi katër dekada.

Shërbimi gjithashtu ka problem me numrin e pamjaftueshëm të zjarrfikësve. Për momentin janë 32, që është larg minimumit me ligj. Thonë se kanë nevojë edhe për të paktën dhjetë zjarrfikës pasi për vetëm gjysmë muaji kanë pasur 54 intervenime. Ata shtojnë se kanë nevojë edhe për mjet lundrimi për fikjen e zjarreve në ujë dhe intervenime në rast paraqitjes së zjarrit nëpër objekte lundruese. Nga policia e Ohrit thonë se si rezultat i zjarreve të shpeshta në pjesët malore, në fusha dhe në kallamin e bregut, do të ndërmerren masa të përforcuara.

Loading...