Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta thotë se ka bërë të gjitha veprimet e tij prej kohësh për të evituar këtë krizë, që e quan serioze, jo vetëm politike, kushtetuese, institucionale, por tashmë edhe përfaqësimi.

“Është për të ardhur keq që palët kanë nxituar dhe nxitojnë për ta thelluar këtë krizë, por përsëri është detyra ime të bëj thirrje për reflektim nga të gjithë, sepse duhet të shikojmë interesin e vendit dhe të qytetarëve tanë, të cilët kërkojnë normalitet, por njëkohësisht dhe të vazhdojmë të shtojmë kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti, në këtë rajon ende me sfida të rëndësishme. Kjo situatë e brendshme nuk na ndihmon në këtë drejtim”, tha Meta.

Presidenti Meta hodhi edhe hije dyshim për rolin e ndonjë ndërkombërari, që sipas tij ka folur dhe mbajtur një qëndrim për situatën në vend.

“Mendoj se klasa politike shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e saj dhe nuk duhet të fshihet pas asnjë ndërkombëtari, siç ka ndodhur deri tani, dhe çështjet duhet të zgjidhen me dialog në mënyrë transparente, në mënyrë parimore, larg pazareve dhe keqpërdorimeve, qoftë edhe të ndonjë ndërkombëtari”, u shpreh më tej kreu i shtetit.

I pyetur për rrezikun e ndikimit rus në Shqipëri, presidenti mendon:

“Ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike, për fat të keq, të Rusisë në rajonin tonë, por nuk besoj se ky është një problem në rastin e Shqipërisë. Ne do të donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e të gjithë popujve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO, por është e drejta e saj të reagojë ndryshe. Gjithsesi, nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun angloamerikan në periudhën e së kaluarës, për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale, përfaqësimi, të cilat janë të krijuara nga ne dhe kërkojnë reflektim nga të gjithë”, tha Meta.

Loading...