Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern bëri çdo përpjekje të mundshme për të treguar se çfarë drame përbënte sulmi i së premtes, për një vend të qetë si ai i saj, e sa i fortë ishte reagimi i qeverisë. Përveçse ndërmori menjëherë nismën për ndryshimin e ligjit të armëve, shefja e ekzekutivit neozelandez mbajti përpara ligjvënësve në Parlament edhe një fjalim me një betim të pazakontë. Ajo u zotua të mos e përmendë më kurrë emrin e agresorit të Christchurchit.

“Ai njeri mund të ketë kërkuar shumë gjëra nga akti i tij i terrorit. Një prej tyre ishte pikërisht fama. Për këtë arsye, unë nuk do t’ia përmend më kurrë emrin. Ai është një terrorist, një kriminel, një ekstremist, por nga sot do të jetë pa emër. Në vend të tij përmendni emrat e atyre që humbën jetën”, tha kryeministrja Ardern. 28-vjeçari australian Brenton Tarrant është i vetmi person që ndodhet në paraburgim lidhur me masakrën që kushtoi 50 jetë njerëzish. Ai nuk e pranon fajin dhe, sipas disa njoftimeve në mediet vendase, nuk do të ketë avokat por do të vetëpërfaqësohet gjatë procesit gjyqësor.

Të shtënat masive dhe krimet e dhunshme janë të rralla në Zelandën e Re. Deri të premten, ngjarja më e rëndë konsiderohej ajo e vitit 1990, kur një person i armatosur vrau 13 vetë në qytetin e vogël të Aramoanas.

Pas episodit të dhunshëm të Christchurchit, kryeministri australian Scott Morrison lëshoi një apel për kufizime të medieve sociale në rang global. Facebook dhe firma të tjera janë kritikuar ashpër për faktin që nuk e bllokuan transmetimin e drejtpërdrejtë të sulmit.

Loading...