Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë konfliktit të fundit në Kosovë [1998-‘99], deri më tani ka pranuar mbi 968 aplikacione nga persona që pretendojnë se janë viktima të dhunës seksuale.

Nga ky numër, deri më tani janë shqyrtuar 542 raste, 301 personave u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, 64 raste janë në shqyrtim, kurse 147 aplikacione të shqyrtuara janë refuzuar. Ndërkaq, ka edhe rreth 400 aplikacione që presin të shqyrtohen.

Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale pas një takimi që kanë zhvilluar me ish presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, aktualisht drejtuese e “Fondacionit Jahjaga”.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skendër Reçica, tha se ndër prioritet kryesore të kësaj ministrie ka qenë dhe mbetet përkushtimi për këtë kategori të shoqërisë.

“Ne si qeveri na mbetet që t’i qëndrojmë pranë Komisionit, t’a mbështesim sepse puna e tyre është jashtëzakonisht e ndjeshme. Flitet për trajtimin e dokumentacionit i cili realisht në rrethanat se kur kanë ndodhur krimet dhe kohën në të cilën po trajtohen ato dokumentacione, bëhet fjalë për një kohë bukur e gjatë”.

“Zotohem se si qeveri do të jemi pranë tyre, t’i mbështesim në kërkesat që t’i lehtësojmë punën me qëllim që të përmbyllet edhe ky rast që ka të bëjë më nxjerrjen në dritë të asaj se çfarë realisht ka bërë pushtuesi serb, përveç vrasjeve, dëbimeve dhe shkatërrimeve”, tha Reçica.

Numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, sipas institucioneve dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie paraqitet të jetë 20 mijë viktima.

Procesi i verifikimit është i domosdoshëm për të përfituar beneficionet me ligj, të krijuara për këtë kategori.

Sipas ligjit, viktimë e dhunës seksuale të luftës është personi i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit brenda periudhës së 27.02.1998 deri më 20.06.1999. Viktima të dhunës seksuale gjatë luftës janë si femrat ashtu edhe meshkujt, ndonëse numri më i madh i tyre i takon gjinisë femërore.

Çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës është riaktualizuar në kohën e presidentes Atifete Jahjaga, e cila për ta ndihmuar këtë kategori të shoqërisë, në atë kohë krijoi Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale, të cilin e udhëhoqi vetë.

Ish-presidentja Jahjaga tha se synon të sjellë një qasje të re për angazhimin dhe përfaqësimin efikas të grave dhe se përkushtimi për këtë kategori, sipas saj, është përtej institucioneve dhe është detyrë e gjithë secilit në mënyrë që viktimat të mos ndjehen të margjinalizuara.

“Por, nuk duhet të harrojmë faktin që është kërkesë humane, njerëzore dhe bazike për secilën aplikante apo aplikant për njohjen e statusit ligjor të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftë. Ne e dimë që kjo ka ndodhur para 20 vjetëve, megjithatë është kërkesë e institucioneve të vendit që sa më shpejtë që është e mundur të procedohen këto lëndë”, tha Jahjaga.

Në bazë të ligjit, atyre që u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, përfitojnë benificione personale prej 230 euro në muaj.

Për viktimat e dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë, po kërkohet edhe drejtësi ndërkombëtare. Javën e kaluar Bordi Drejtues i Grave të Kosovës, ka dorëzuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara peticionin e qytetarëve të Kosovës përmes së cilit kërkohet drejtësi ndërkombëtare për viktimat e dhunës gjatë luftës në vitet 1998-1999.

Ky peticion ishte nënshkruar në vitin 2014, nga më shumë se 110 mijë qytetarë në gjithë territorin e Kosovës, përjashtuar komunat e banuara më shumicë serbe.

Loading...