Platforma gjigante e rrjeteve sociale Facebook, përmes një deklarate ka bërë të ditur se çfarë ka ndodhur me pamjet në të cilat shihet terroristi duke kryer sulmet në xhamitë në Zelandë të Re, fillimisht të publikuara nga ai Live.

Sipas njoftimit të Facebook, përcjell Telegrafi, si të gjithë të tjerët, edhe kjo kompani është e prekur me ngjarjen e ndodhur në Christchurch dhe se janë të angazhuar për të punuar me udhëheqësit në Zelandën e Re, qeveritë e tjera, dhe të gjithë industrinë e teknologjisë për të ndihmuar në ndalimin e gjuhës së urrejtjes dhe kundër kërcënimit nga terrorizmi.

Facebook thotë se kanë punuar drejtpërsëdrejti me Policinë e Zelandës së Re për t’iu përgjigjur sulmit dhe për të mbështetur hetimet e tyre.

Në këtë drejtim, theksohet tutje, përcjell Telegrafi, ata kanë hequr videon e sulmit brenda pak minutave, pasi janë informuar.

“Në dritën e hetimit aktiv, policia na ka kërkuar që të mos ndajmë detaje të caktuara. Ndërsa ne jemi ende duke shqyrtuar këtë situatë, ne jemi në gjendje të sigurojmë informacionin e mëposhtëm: Video u pa më pak se 200 herë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë. Asnjë përdorues nuk raportoi videon gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë. Përfshirë shikimet gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, video u pa rreth 4.000 herë në total para se të hiqet nga Facebook”, bën të ditur Facebook.

Po sipas Facebook, raportimi i parë nga përdoruesit në videon origjinale erdhi 29 minuta pas fillimit të videos dhe 12 minuta pas transmetimit të drejtpërdrejtë.

Kështu, siç thuhet tutje, ata kanë reaguar ndër tjerash edhe duke hequr llogaritë personale të të dyshuarit nga Facebook dhe Instagram, dhe janë në mënyrë aktive në identifikimin dhe largimin e ndonjë llogarie mashtruese.

Në këtë drejtim, bëhet e ditur se janë hequr pamjet origjinale dhe janë sheshuar të tjera që janë vizualisht të ngjashme me atë, të cilat janë zbuluar më pas dhe larguar automatikisht nga Facebook dhe Instagram.

Gjithashtu, disa variante të tilla si regjistrimet në ekran ishin më të vështira për t’u zbuluar, kështu që Facebook thotë se ka zgjeruar zbulimet shtesë duke përfshirë përdorimin e teknologjisë audio.

“Në 24 orët e para, ne kemi larguar rreth 1.5 milion video të sulmit globalisht. Më shumë se 1.2 milionë nga këto video u bllokuan në ngarkim, prandaj u penguan të shihen në shërbimet tona”.

“Organizatat anëtare të Global Internet Forum to Counter Terrorism (GIFCT) koordinojë rregullisht mbi terrorizmin dhe kanë qenë në kontakt të ngushtë që prej sulmit. Ne kemi ndaluar më shumë se 800 video të dukshme në lidhje me sulmin përmes bazës së të dhënave tona kolektive, së bashku me URL-të dhe kontekstin mbi qasjet tona të përmbarimit. Ky incident thekson rëndësinë e bashkëpunimit industrial në lidhje me gamën e terroristëve dhe ekstremistëve të dhunshëm që veprojnë në internet”.

“Ne identifikuam përmbajtje abuzive në faqet e tjera të mediave sociale në mënyrë që të vlerësonim nëse përmbajtja mund të bartej në një nga platformat tona”, thuhet në sqarimin e gjigantit Facebook.

Loading...