Autoritetet në Evropë po punojnë për të zbuluar se a ka pasur lidhje sulmuesi terrorist në Zelandë të Re me grupet e ekstremit të djathtë.

Që nga e premtja, zyrtarët në Turqi, Bullgari dhe Greqi i kanë filluar zyrtarisht hetimet lidhur me dyshimet që sulmuesi i dyshuar ka qenë para disa vitesh në Evropë para se të vendosej në Zelandë të Re.

Brenton Harrison Tarrant, 28-vjeçar, qytetar i Australisë, duket se ka udhëtuar në vende të ndryshme, përfshirë Evropën, Lindjen e Mesme dhe vendet tjera të Azisë. Më saktësisht, besohet se ai ka qenë në Turqi, Francë, Pakistan, Bullgari, Hungari dhe në Kore të Veriut.

Zyrtarët grekë kanë deklaruar se Tarrant e ka vizituar Greqinë për pak ditë në vitin 2016. Sipas deklaratës së Ministrisë për Mbrojtje të Qytetarëve, ai kishte udhëtuar nga Stambolli më 20 mars 2016 dhe kishte qëndruar disa ditë në Kretë dhe Santorini.

Sipas televizionit turk “TRT”, ai kishte udhëtuar dy herë në Turqi gjatë vitit 2016, ku kishte qëndruar gjithsej 43 ditë. Një zyrtar turk ka thënë se autoritetet janë duke i hetuar lëvizjet e sulmuesit nëpër Turqi dhe kontaktet e tij me njerëzit tjerë gjatë qëndrimit në këtë shtet, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Loading...