Deputeti i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Ligoraq Karamelo raportohet se është kërcënuar me jetë.

Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit të Korçës ku 3 persona e kanë kërcënuar me jetë deputetin.

“Kam qene duke dalë nga lokali kur u kërcënova. Tre personat tentuan të më godasin më quajtën tradhtar. Nuk tërhiqem nga mandati i deputetit. Bëra denoncimin. Njeri prej tyre është shoqëruar”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë se Karamelo është një prej kandidatëve në listën e PD, i cili pranoi mandatin e deputetit, pavarësisht vendimit politik të opozitës për djegie në bllok, raporton Top Channel.

Njoftimi i policisë për kallëzimin penal të Karamelos

Në datë 19.03.2019, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë është paraqitur shtetasi L.K, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i cili ka kallëzuar se ditën e sotme është fyer dhe kanosur për shkak të detyrës.

Policia ka shoqëruar disa persona dhe po kryen veprimet proceduriale të rastit.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Fyerja”.

Loading...