Ish-presidenti i Perusë, Alejandro Toledo është arrestuar në Kaliforni, pasi akuzohet për dehje në publik.

Ish-kreu i shtetit, i cili është i kërkuar nga autoritetet peruane nën akuzën për korrupsion, u arrestua të dielën në mbrëmje në një restorant në San Mateo, në jug të San Franciskos.

“Ai u lirua nga burgu i qytetit të Redwood të hënën në mëngjes në përputhje me procedurat ligjore të atij vendi, pasi shkelja nuk meritonte një burgim më të gjatë”, tha Ministria peruane e Punëve të Jashtme.

Toledo u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi u akuzua në atdheun e tij se kishte marrë 20 milionë dollarë ryshfet nga kompania braziliane “Odebrecht” gjatë qëndrimit të tij në pushtet (2001-06). Por, ai i mohon këto akuza.

Ministria e Punëve të Jashtme të Perusë tha gjithashtu se arrestimi nuk kishte asnjë lidhje me procedurat për ekstradim.

Loading...