Thomas Tuchel e ka krahasuar Ole Gunnar Solskjaerin me një mjek, pasi që ai beson se norvegjezi e ka shëruar Manchester Unitedin. Trajneri i Paris Saint-Germainit i ka paralajmëruar lojtarët e tij se “Djajtë e kuq” kanë ndryshuar plotësisht pas largimit të Jose Mourinhos.

Manchester Unitedi do ta presë sonte në shtëpi Paris Saint-Germainit, në orën 21:00, për ndeshjen e parë të fazës së 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

Në dhjetor, kur u hodh shorti për këtë ndeshje, kjo ndeshje nuk pritej të ishte aspak e vështirë për PSG-në pasi që Manchester Unitedi ishte në formë shumë të keqe me Jose Mourinhon.

Megjithatë, shumë gjëra kanë ndryshuar që nga atëherë. “Djajtë e kuq” e shkarkuan Mourinhon dhe nuk e kanë humbur asnjë ndeshje që nga emërimi i Ole Gunnar Solskjaerit në pozitën e trajnerit, duke i fituar dhjetë nga gjithsej 11 ndeshje e zhvilluara.

Anglezët tani kanë më shumë gjasa për ta mposhtur kampionin francez, veçanërisht për shkak të lëndimeve që ka pësuar skuadra e Thomas Tuchelit, të cili do t’i mundojë Neymar dhe Edinson Cavani.

“Ka një efekt nga Solskjaer. Ne e kemi një thënie në Gjermani që nëse ti shkon te një mjek dhe ai të shëron, atëherë ai ka të drejtë. Nëse dhimbja të kalon, atëherë ti ke të drejtë. Ai ka fituar shumë ndeshje”, ka thënë Tuchel.

“Kjo është mjaft mbresëlënëse. Ai ishte super lojtar i rrezikshëm dhe tani është duke fituar ndeshje edhe si trajner. Gjërat janë plotësisht ndryshe në Manchester United. Ata luajnë me shumë besim, shënojnë shumë gola dhe kalojnë në epërsi qysh në fillim të ndeshjeve”.

“Ata e kanë arritur një ecuri mbresëlënëse dhe të luash në këtë moment në Old Trafford është njëra ndër sfidat më të vështira që mund ta kesh para vetes. Gjërat kanë ndryshuar plotësisht që nga shorti”.

 

Loading...