]

Nga, Abdulla Mehmeti

Nuk ka veprimtari më të leverdishme se politika. Edhe pse me asgjë nuk i ngjan matematikës, rezultatet e politikës janë po aq të besueshme sa edhe të matematikës. Këtë politika e arrin përmes propagandës, sepse në vend të provës si në matematikë, politika ka shpikur mekanizmin e ripërtëritjes së mandatit, me çka për t’ua nxjerrë provën rezultateve ajo kërkon mandate, përmes të cilëve fati i saj rrotullohet pafund në të njëjtin rreth vicioz.

1. Për shembull, për politikën në Maqedoni më lehtë është të ndryshohet emri i shtetit se sa emri i një shkolle.

2. Më i lehtë integrohet shteti në strukturat globale, NATO dhe BE, se sa të inkuadrohet një shqiptar në njësitet speciale të ushtrisë dhe policisë së Maqedonisë, të cilat i financojnë edhe qytetarët shqiptarë me taksat dhe kontributet e tyre ndaj këtij shteti.

3. Më lehtë krijohen mundësitë dhe hapen rrugët për shpërnguljen e mijëra qytetarëve në botën e jashtme se sa një fabrikë për punësimin e qytetarëve të papunë në vendlindje, sidomos të rinisë së shkolluar.

4. Më lehtë zgjidhesh deputet apo ministër, se sa pastrues, vozitës apo mirëmbajtës i objektit në një institucion, sepse për të dytët kërkohet kualifikim profesional dhe një nivel arsimimi, ndërsa për të parët kërkohet një librezë partie dhe jepet vetëm një pëlqim formal nga organet e sigurimit të shtetit.

Kjo është politika, profesioni më i leverdishëm i njerëzve pa profesion, apo të dështuar në profesion, kur sundimi i të ligut mbi qytetarët e ndershëm të shtetit shndërrohet në ligj dhe ky ligj zbatohet dhe mbrohet nga institucionet e shtetit.

Këtë problem mund ta zgjidh vetëm mjekësia, përmes analogjisë, meqë nuk është fajtor vetëm virusi i rrezikshëm për infektimin e një organizmi, por edhe ekspozimi (hapja) e një organizmi ndaj virusëve, në këtë rast përulja pa rezistencë e qytetarëve ndaj poltikës, përkatësisht ndaj partive politike të degjeneruara dhe korruptuara, si vatra të infeksioneve që e rrezikojnë seriozisht dhe përherë shoqërinë njerëzore.

(8 shkurt 2019)

Loading...