]

Me iniciativë të kryetarit Arben Taravari, Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me Stacionin policor dhe organizatat joqeveritare, po realizon sot aktivitetin “Ditën pa makina”, që ka për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për zvogëlimin e ndotjes së ajrit ambiental.

Në kuadër të këtij aktiviteti prej në ora 12:00 deri në ora 15:00 është ndaluar trafiku në pjesën qendrore të qytetit, ndërsa kryetari i komunës dhe administratorët komunalë në punë erdhën sot pa makina.

Në deklaratën për media, kryetari Arben Taravari theksoi se qëllimi i këtij aktiviteti është zvogëlimi i ndotjes së ajrit si një nga synimet kryesore për këtë mandat katërvjeçar.

“Mbetem i përkushtuar të realizojë tre nga synimet e përcaktuara për këtë mandat, respektivisht zvogëlimin e ndotjes së ajrit, zgjidhjen e problemit me deponinë dhe uji i filtruar për pije. Në lidhje me ajrin e ndotur, inspektorët tanë kanë qenë aktiv në terren dhe në pjesën ku kompetencat i ka Komuna e Gostivarit është gjithçka në rregull. Krahas kësaj jemi duke përgatitur një plan aksional për aerondotjen, ku do t’i përfshijmë edhe organizatat joqeveritare të cilat në fokus të veprimtarisë së tyre kanë mbrojtjen e mjedisit jetësor. Njëherit kemi aplikuar në një projekt me bashkëpunim ndërkufitar me një Bashki të Shqipërisë për aplikimin e trafikut urban në Gostivar dhe shpresojmë që ai të miratohet, me çka dukshëm do të zvogëlohej aerondotja”, theksoi kryetari Taravari.

Ai nënvizoi se ndonëse kemi ajër të ndotur në periudha të caktuara të vitit, siç ishte sidomos rasti gjatë muajit janar, megjithatë Gostivari nuk është në majën e listës së qyteteve të ndotura në nivel të vendit.

 

Loading...