Guximi i kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras ka zgjidhur problem të gjatë, i cili do t’i ndihmojë Maqedonisë të lëvizë përpara drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, vlerësoi senatori republikan Ron Xhonson, duke e komentuar vendimin e Parlamentit të Maqedonisë që t’i miratojë amendamentet për ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, si dhe pritjen e ratifikimit në Greqi.

“Ky është një lajm i mirë: Unë isha në Maqedoni dhe Greqi në shtator, para referendumit. Kjo është njëra ndër ato marrëveshje e cila zgjedh problem që zgjat me vite, siç ishte rasti me Kosovën dhe Malin e Zi”, deklaroi Xhonson për Zërin e Amerikës, transmeton Koha.

Sipas tij, dorëheqja e ministrit grek të Mbrojtjes Panos Kamenos dhe votim për besim të Qeverisë së Aleksis Ciprasit mund ta ngadalësojë procesin për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, megjithatë, shton Xhonson, shanset që ai të ketë sukses janë të mëdha.

Senatori thotë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do ta stabilizojë rajonin, njëjtë siç ka qenë rasti me Malin e Zi, për anëtarësimin e së cilës në Aleancë ai ka qenë mbështetës i madh. Theksoi se e ardhmja evropiane e Evropës qëndron në aleancën me Perëndimin.

“Rusia nuk ofron asgjë përveç jositabilitetit dhe ndoshta naftë dhe gaz, por, ata mund t’i marrim edhe në vend tjetër. Anëtarësimi në NATO do të jetë punë e mirë për Maqedoninë”, ka deklaruar Xhonson.
Ai ka potencuar se tërheqja para pak kohe e rezolutës nga Senati për mbështetjen e Marrëveshjes së Prespës, e cila mes tjerash e dënoi edhe propagandën ruse në Maqedoni,. nuk do ta ndryshojë pozicionin e konfirmuar amerikan për mbështetjen e procesit eurointegrues të shtetit.