Presidenti i i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë se pa përfshirjen e Rusisë nuk do të ketë zgjidhje të çështjes së Kosovës. Ai ka treguar se janë duke e shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së Rusisë në formatin e dialogut të Brukselit.

Gjithashtu ai ka përsëritur faktin se nuk beson që do të ketë zgjidhje të çështjes Kosovë-Serbi brenda një kohe të shkurtër.

“Ne po bisedojmë gjatë gjithë kohës për të gjetur një zgjidhje. Të gjithëve do t’iu pëlqente që të themi se jemi afër zgjidhjes, por unë jam një person i sinqertë dhe nuk jam optimist, dhe unë jam duke folur në lidhje me zgjidhje. Ne shpresojmë në të, megjithatë nuk besoj se një gjë e tillë mund të arrihet shumë shpejt”, ka thënë Vuçiq para gazetarëve.

“Pa Rusinë nuk do të ketë zgjidhje”, ka shtuar tutje Vuçiq, transmeton Gazeta Express.

Ndër të tjera ai ka thënë se është duke u shqyrtuar një format i dialogut në të cilin do të përfshihet edhe Rusia.

“Para se te arrijmë ndonjë zgjidhje do të konsultohem gjithmonë me Putinin”, ka shtuar ndër të tjera Vuçiq.

Ndërkohë Putin ka thënë se qëndrimi i Rusisë karshi çështjes së Kosovës nuk ka ndryshuar.

Ai ka thënë se vendimi për vendosjen e taksës dhe krijimi i Ushtrisë, kanë qenë dy vendime të cilat e kanë tensionuar situatën në rajonin e Ballkanit.

“Rusia ndanë shqetësimin me qytetarët e Serbisë, se këto lëvizje mund të qojnë ne de stabilizim të Ballkanit”, ka thënë Putin.

Ai ka thënë se shteti Rus është i interesuar për një Ballkan të qëndrueshëm dhe të sigurt.

Këto deklarime të Vuçiq dhe Putin, vijnë pas interesimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përfshirje në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një kompromisi që do të qonte në marrëveshje finale.