Partia më e madhe opozitare ka bërë thirrje që të bojkotohet zbatimi i Ligjit për gjuhët, që ka avancuar në masë të madhe gjuhën shqipe. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Igor Janushev tha se qytetarët por edhe nënpunësit nëpër institucione duhet të bojkotojnë këtë ligj dhe zbatimin e tij.

Ai tha se shërbimet juridike të VMRO-DPMNE janë të gatshme për ti dal në ndihmë qytetarëve të cilët do të injorojnë dhe bojkotojnë këtë ligj dhe nga këto veprime mund të përballen me ligjin.

Sipas tij, publikimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e Ivanovit, është joligjor dhe tentim i dhunshëm për vendime të cilat sipas tij, lënë pasoja të mëdha në shtet.

“VMRO-DPMNE-ja do të dorëzojë padi penale kundër Talat Xhaferit dhe drejtorit të Gazetës Zyrtare, por edhe kundër gjithë atyre për të cilët do të konfirmohet përgjegjësia se kanë shkelur ligjin, në lidhje me publikimin e ligjit për dygjuhësi pa nënshkrimin e presidentit të shtetit”, tha Janushev duke shtuar se në mënyrë shtesë do të parashtrojnë iniciativë për hetimin e kushtetueshmërisë të ligjit të dygjuhësisë në Gjykatën Kushtetuese.

“Me këtë ligj rrënohet edhe një themel i Maqedonisë, i cili i lidhte të gjitha bashkësitë etnike që jetojnë këtu”, tha Janushev, duke ju bërë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore në nivel qendror dhe lokal që ta injorojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve.