Manchester Unitedi e ka siguruar fitoren e radhës në Premierligë, që ishte e gjashta me radhë në ligë dhe e shtatë në të gjitha garat, që prej se erdhi në stol Ole Gunnar Solskjaer.

Unitedi e mposhti Brightonin në “Old Trafford” të shtunën me rezultatin 2-1 në kuadër të xhiros së 23-të në Premierligë, raporton Gazeta Express.

Paul Pogba shënoi për 1-0 në minutën e 27’ nga pika e bardhë, kurse Marcus Rashford shënoi për 2-0 në minutën e 42’.

Në pjesën e dytë u shënua vetëm një gol, ai i Pascal Gross në minutën e 72’, që ishte goli i vetëm nga skuadra mysafire.

Trajneri norvegjez nuk ka pësuar asnjë e humbje e as nuk ka barazuar që prej se mori timonin e Unitedit në fillim të muajit dhjetor, duke grumbulluar shtatë fitore në shtatë ndeshje.

Ndeshja e radhës për “Djajtë e Kuq” është ndaj Arsenalit si mysafir në kuadër të FA Cup, kurse Brighton e pret në shtëpi West Bromwichin  po ashtu në FA Cup.