Presidenti i SHBA, Donald Trump i tha të enjten Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi se udhëtimi i saj në Belgjikë, Egjipt dhe Afganistan është anuluar, për shkak të mbylljes së pjesshme të qeverisë.

Në një letër drejtuar demokrates së lartë të Dhomës së Përfaqësuesve, Presidenti Trump shkruante: “Për shkak të mbylljes së qeverisë, më vjen keq t’ju informoj se udhëtimi juaj në Bruksel, Egjipt dhe Afganistan është shtyrë. Do ta riplanifikojmë këtë ekskursion shtatë-ditor kur të ketë mbaruar mbyllja,” shkruante Presidenti Trump.

Letra vjen pas një kërkese që Pelosi i bëri Presidentit Trump gjatë kësaj jave për ta shtyrë fjalimin e tij tradicional për gjendjen e vendit përpara dy dhomave të Kongresit më 29 janar.

Presidenti Trump tha se Pelosi duhet të qëndrojë në Uashington për të negociuar me të mbi rrugët për t’i dhënë fund mbylljes së pjesshme të qeverisë, një ngërç që lidhet me refuzimin e Dhomës së Përfaqësuesve për të miratuar fondet e kërkuara nga Presidenti Trump për financimin e një muri kufitar me Meksikën.

Presidenti Trump tha se nëse dëshiron, Pelosi mund të përdorë avionë udhëtarësh për vizitat e saj, duke nënkuptuar se qeveria nuk mund t’i vërë në dispozicion një aeroplan ushtarak.

Udhëtimi i Pelosit ishte planifikuar të fillonte të enjten mbrëma.

Mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane hyri të enjten në ditën e 27 dhe është mbyllja më e gjatë ndonjëherë në historinë e vendit./voa