Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dorëzuar sot Ekipit Negociator një raport përditësues mbi fazën finale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Kështu ka bërë të ditur bashkëkryenegociatori Shpend Ahmeti, në një adresim të tij ndërsa potencoi se deri tani nuk është hasur në ndonjë draft-marrëveshje të mundshme mes Kosovës e Serbisë nga takimet e zhvilluara të Presidentit Hashim Thaçi në bisedimet në Bruksel, njofton Klan Kosova.

”Sot presidenti Hashim Thaçi na e dorëzoi zyrtarisht këtë raport të përditësuar për Delegacionin Shtetëror mbi fazën finale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”.

”Ky është një raport i Presidencës për Delegacionin Shtetëror, por nuk është dokumentacion apo transkript i takimeve që Hashim Thaçi ka pasur në Bruksel por është një raportim i presidentit për temat që ka pasur në takime”

”Në kto çështje figurojnë temat, sikurse të zhdukurit, të zhvendosurit, trashëgimia kulturore, të drejtat e minoriteteve etj”.

”Këtë raport ne do ta dorëzojmë në Delegacionin Shtetëror për ta shqyrtuar. Në takim Presidenti Thaçi tha se nuk ka asnjë draft marrëveshje të dakorduar me Serbinë”.

”Në raport shkruan se Thaçi nuk ka asnjë draft zyrtar të dakorduar qoftë me Brukselin apo me Serbinë”.

”Konfirmuam se deri më tash ka ndodhur 3 plus 1 takime, po themi kështu për shkak se takimi i katërt ka dështuar për shkak të taksës”.

”Tash ne si delegacion na mbetet që të shqyrtojmë këtë raport dhe pastaj do kemi edhe takimin e dytë në Bruksel”.

”Pra nuk ka pasur asnjë marrëveshje të arritur nga presidenti Thaçi në Bruksel, si përfaqësues i delegacioni”, ka thënë Ahmeti, njofton Klan Kosova.