Në Tetovë, por edhe në nivel të të gjitha viseve shqiptare në Maqedoni për herë të parë hapet Qendra për edukim dhe mësim inovativ STEMLab. STEMLab është një nismë e profesionistëve të dëshmuar të shkencave natyrore dhe teknike të cilët, banorëve të këtij nënqielli, veçanërisht nxënësve, studentëve dhe punonjësve të arsimit ju ofrojnë një qasje alternative edukimi. Ndonëse koncepti STEM si formë edukimi është risi në qytetin tonë,  supozohet se nga viti 2020 gati 80% e vendeve të reja të punës në botë do të kërkojnë edukim në STEM. Shikuar nga kjo perspektivë, me këtë iniciativë, fëmijët për nga qasja, vizioni, teknikat, metodologjia e punës dhe shumë aspekte të tjera janë përkrahë vendeve të zhvilluara të botës.

Çka është STEM dhe çka ofron STEMLab?

Në frymën e kërkesave të shekullit, STEM edukimi është një qasje e integruar ndërdisiplinore (Shkencë, Teknologji, Inxhnieri dhe Matematikë), që nxënësve ju ofron përvoja praktike dhe të përshtatshme të të mësuarit. Mësimdhënia dhe nxënia shkon përtej transferimit të thjeshtë të njohurive, pasi nxënësit krijojnë lidhje midis shkollës, punës praktike dhe komunitetit. STEM edukimi gjithashtu ndihmon nxënësit që thellësisht të kuptojnë dhe zbatojnë njohuritë e matematikës dhe shkencave në përgjithësi, që janë elementet bazë për sukses në karrierë. Po të shkojmë edhe një hap më tej, projekti Oxygen i Google dëshmoi se faktorët kyç për imapkt të lartë në rrjedhat bashkëkohore janë aftësitë dhe shkathtësitë e buta, si: edukata e komunikimit dhe ndihmës së ndërsjelltë në vendin e punës, thellësia e ndërveprimit me të tjerët, mundësia e mendimit jashtë kornizës, mënyra e të menduarit inovativ dhe kritik e orientuar nga zgjidhja e problemeve dhe aftësia për të krijuar lidhje mes ideve komplekse.

Duke u bazuar në gjithë atë që u tha më lartë STEMLab, është një alternativë unike e edukimit, pasi përfaqëson një sintezë mes STEM lëndëve dhe shkathtësive të buta, të cilat janë thellësisht të integruara në kurrikulat më të avancuara dhe më të arrira  të kohës. Nën moton “edukojmë mendjet, zemrat dhe duart”, STEMLab angazhohet për qasje të reja në sistemin edukativ, ku mendimi dhe qasja inovative, dashuria për punën dhe produktiviteti cilësor janë të pandara nga përditshmëria e nxënësve, e gjithë kjo larg formës dhe virtualizimit të tepruar.

Regjistrimet e para në STEMLab, të nxënësve nga mosha 6 – 10 vjeçare fillojnë nga dita e martë (15 Janar 2019).

Informacione: [email protected] dhe www.stemlab.org.mk