Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi i demanton në mënyrën më të ashpër informatat e deklaruara nga lideri i Maqedonisë së Bashkuar, Janko Baçev se përfaqësues të ambasadës amerikane, me urdhër të ambasadorit amerikan Xhes Bejli, mbajnë të mbyllur tre deputetë në Kuvend. E informojmë publikun se bëhet fjalë për dezinformim klasik, me qëllim që të dëmtohet autoriteti i Kuvendit dhe i procesit të integrimit në BE dhe NATO të Republikës së Maqedonisë. Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, çdo deputet vendos vetë, sipas bindjes së vet dhe nuk ka dhe nuk do të ketë presion mbi të zgjedhurit e popullit dhe lëvizja e tyre është e lirë. Seanca e 75-të e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë zhvillohet sipas rregullit të vendosur si edhe për çdo seancë tjetër.